Lajme

Ky është sigurimi i “famshëm” që u përfshi në rrahjen e fundit, dora e butë e Prokurorisë e lë të lirë sërish

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet në lokale e hapësira te frekuentuara me të madhe nga qytetarët. Shpeshherë personat të cilët përfshihen në incidente te tilla janë pikërisht ata që janë të thirrur për të ofruar siguri e për të respektuar klientët, siç ka ndodhur me Ilirjan Bytyqin, punëtorin e sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Bytyqi nuk është emër i panjohur për organet e rendit, pasi që shumë herë ka përfunduar në pranga për vepra dhe raste të ndryshme në të cilat është përfshirë.

Rasti i fundit në të cilin u përfshi, dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të 14 majit, ku dyshohet se ka sulmuar fizikisht një klient të lokalit “BarBon”.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se një person ka kërkuar ndihmën mjekësore si pasojë e lëndimeve trupore, që ka pësuar gjatë konfliktit fizik që ka pasur me sigurimin në këtë lokal. Sipas të njëjtave burime, i dyshuari e ka goditur viktimën me radiolidhje.

Sinjali mëson se vetë Bytyqi gjatë dhënies së dëshmisë së tij në organet e hetuesisë, ka pranuar të ketë kryer veprën për të cilën dyshohet. Ai ka deklaruar se ka goditur viktimën me radiolidhje, të cilën e kishte marrë në banakun e lokalit.

Këtë rast, sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë e kanë neglizhuar, ashtu që fillimisht nuk ishte iniciuar rast edhe përkundër se viktima ka poseduar raportin mjekësor, që e ka marrë pas trajtimit në spital.

Megjithatë, tashmë rasti është iniciuar në Polici dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Drejtoria Rajonale në Prizren, që kanë bërë të ditur se rasti është cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’.

“Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet dhe rasti po hetohet si “Lëndim i lehtë trupor lidhur me rastin në fjalë. Një person është i dyshuar dhe viktima, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në koordinim me Prokurorin, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt”.

“Fuqia” e sigurimit të lokalit BarBon në Prizren, futet në sherr me klientin por nuk arrestohet
Kujtojmë që Gazeta Sinjali muaj më parë ka raportuar për dosjen kriminale të Bytyqit, ku ka kërkuar informacione nga Gjykata Themelore në Prizren për të gjitha aktgjykimet e plotfuqishme që janë shpallur ndaj tij për veprat që ka kryer për 8 vjet dhe dënimet ndaj tij.

Sipas evidencës në Gjykatë del se Bytyqi më së shpeshti ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” e “Lëndim i rëndë trupor”, për të cilat është dënuar me burgim e me gjoba. Ai është dënuar edhe për “Kanosje” e “Rrezikimi i Trafikut Publik”.

Përveç veprave penale, Ilirjan Bytyqi dyshohet se ka kryer edhe rreth 100 vepra kundërvajtëse, shumica prej të cilave në komunikacion, thonë tutje burimet e Sinjali.

“Fuqia” e sigurimit të lokalit BarBon në Prizren, futet në sherr me klientin por nuk arrestohet
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.