Detaje të reja për vdekjen e pacientes 21-vjeçare në Shtime: Mjeku e dërgoi në spital, por pa shenja jete
Gazeta Sinjali raportoi sot për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në shtëpinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shtime, ku një paciente 21-vjeçare ka humbur jetën. Sipas dyshimeve të para, vajza është ngufatur derisa ka qenë duke ngrënë dhe fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë.
Rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”, teksa Sinjali ka mësuar detaje të reja.
Burimet brenda Emergjencës në Spitalin e Ferizajt kanë bërë me dije se vajza fillimisht është dërguar në QKMF në Shtime nga një mjek, e më pas është transferuar në këtë qendër, ku pas ekzaminimeve për shenja vitale, është konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.
Sipas mjekut që ka dhënë dëshmi para Policisë, ai iu kishte dhënë për të ngrënë viktimës dhe fëmijëve të tjerë, por 21-vjeçares i kishte mbetur ushqimi në fyt dhe për pasojë është ngufatur.
Lidhur me rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para mbi atë që ka ndodhur dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme në shtëpinë ku dyshohet se vdiq pacientja.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i Vdekjes” dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 21-vjeçares.