Lajme

Ky është i dyshuari që mashtroi bankën dhe mori 10 mijë euro kredi me kontratë pune të falsifikuar

Pak me parë u raportua për një rast të mashtrimit që dyshohet se ka ndodhur ën degën e bankës TEB në Fushë Kosovë, ku një person ka arritur të marrë 10 mijë euro kredi, duke paraqitur dokumente të falsifikuara. I riu që dyshohet për këtë rast tashmë ndodhet në ndalim policor dhe ndaj tij rëndojnë dyshimet për dy vepra penale.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është Florent Shaqiri, 34-vjeçar, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme, pas denoncimit nga ana e zyrtarit të bankës, të cilin arriti ta mashtrojë.

Gjithçka në këtë rast lidhet me kredinë që e mori i dyshuari. Marrjen e një shume të caktuar nga cilado bankë në vend në formë kredie, e përcjellin një mal me dokumente që klienti duhet t’ia prezantojë bankës, si garanci për kthimin e të hollave që merr.

Kështu kishte vepruar edhe Shaqiri, në fillim të këtij viti, kur vendosi që të aplikojë për kredi, në degën e TEB-it në Fushë Kosovë. I dyshuari arriti që t’i marrë hiç më pak se 10 mijë euro kredi me dokumente të falsifikuara.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari F.Sh., duke i paraqitur dokumentet e rreme si të vërteta, siç është kontrata e punës, ka mashtruar bankën dhe si rezultat ka futur në xhep paratë, që i kërkoi si kredi.

Sinjali mëson se pas raportimit të rastit, hetuesit policorë kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast kanë arritur që të sigurojnë prezencën e personit të dyshuar, i cili ka përfunduar të hënën në Polici.

I njëjti është intervistuar në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij dhe më pas, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.

“Me datë 15.05.2023 , është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte aplikuar për marrjen e kredisë në një bankë me dokumente të falsifikuara. Me vendim të prokurorit pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.