Rast i dhimbshëm për familjen në Prizren: 56-vjeçari gjendet i vdekur, dyshohet se e zuri rryma
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në familjen Rashkaj në fshatin Milaj të Prizrenit, ku një person është gjetur pa shenja jete dhe sipas informacioneve të para dyshohet se ka vdekur si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike. Kjo ngjarje ka tronditur gjithë familjen, kur e kuptuan se 56-vjeçari kishte vdekur, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Bajram Rashkajn, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes. Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, është konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga ana e njësive policore, teksa trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Sipas informacioneve të para, shkaktar i vdekjes së 56-vjeçarit është kontakti që ka pasur me rrymën, por akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vdekje e dyshimtë” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për hetimin e rastit.