Lajme

Bie në pranga të Policisë personi që dyshohet se rrahu një 63-vjeçar në ‘Hotel Park’ në Istog

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.

Një rrahje ka ndodhur edhe disa ditë më parë në ‘Hotel Park’ në Istog, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari ishte arratisur nga vendi i ngjarjes dhe ishte shpallur në kërkim policor, ndërsa viktima kishte pranuar tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve.

63-vjeçari kishte marrë lëndime të dukshme në kokë dhe pas intervenimit mjekësor, gjendja e tij është stabilizuar.

Sinjali mëson se i dyshuari është arrestuar gjatë ditës së djeshme, pasi është ndalur nga një njësi policore që po patrullonte në fshatin Zallq dhe i njëjti kishte rezultuar se është në kërkim nga Policia.

50-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.