Autobusi që u aksidentua në Vragoli ishte i mbushur plotë me nxënës, ishin nisur për ekskursion
30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Vragoli, raporton Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë një kamion, një autobus dhe një veturë.
“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja, një kamion me targa vendore dhe një veturë po ashtu me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit 30 persona që kanë pësuar lëndime”, ka thënë Krasniqi.
Autobusi i aksidentuar ishte i kompanisë “Graniti Trans” nga Presheva i cili po transportonte nxënës nga kjo komunë, të cilët ishin në një ekskursion.
Nga kompania në fjalë i kanë konfirmuar Telegrafit se një autobus, nga gjithsejtë tre sa ishin duke bartur nxënësit që ishin në ekskursion, është aksidentuar me një kamion.
Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar nga vendi i ngjarjes dhe kanë njoftuar se si pasojë e aksidentit janë krijuar kolona të gjata, të cilat arrijnë deri në fshatin Sllatinë.