Lajme

Ky është punonjësi që dyshohet se kërcënoi shefin Shala – ndalohet për 48 orë

Në media dje u raportua për një rast të kanosjes që ka ndodhur në qytetin e Prizrenit, ku cak ishte kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Eko Regjioni’, Burim Shala. I dyshuari për këtë rast është një punonjës i kompanisë, i cili tashmë është arrestuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Qemajl Kolgeci, 42-vjeçar.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, e që më pas janë konfirmuar edhe nga vetë Shala, Kolgeci e ka kërcënuar përmes telefonit, duke i thënë se do i shkojë në Prizren që ta takojë.

42-vjeçari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij, Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale ‘Kanosje’.

Ndryshe, Sinjali ka kontaktuar edhe me kryeshefin e ‘Eko Regjioni’, Burim Shala, i cili ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur mes tij dhe punonjësit të kompanisë.

Sipas Shalës, pas një takimi që kishte pasur me punëtorët e kompanisë në Suharekë, me të mbërritur në shtëpi, njëri nga ta e kishte telefonuar.

Ai rrëfen për Sinjalin se gjatë kohës që ishte në praninë e familjes së tij të ngushtë, i dyshuari e kërcënonte duke i thënë se do të shkojë në Prizren dhe ta presë atje.

Shala tha se me kërcënime u përball edhe gjatë kohës që po jepte dëshminë e tij para hetuesve policorë lidhur me atë që ka ndodhur.

Deklarata e Shales:

“Pasi që punëtorët janë çu në formë greve në komunën e Suharekës, punëtorët e kompanisë të Eko Regjionit, edhe pas debatit që e kemi kry me ta, që e kemi shpjegu, ka qenë një debat konstruktiv, disa janë pajtu, disa s’janë pajtu, me greva me vazhdu, ok e kemi vazhdu edhe jemi kthy në zyrë. Kam pas mbledhje të bordit, edhe pasi e kam përfundu mbledhjen e bordit kam shku në shtëpi, kam qenë me shoqen me fëmijët, më erdh një telefonatë prej punëtorit, ku filloi me më kërcënu në forma të ndryshme, i thashë shiko: e kemi diskutu na, mos merr kurrgjë personale se keni marrë vesh kolektivi, po mos i ktheni në sene personale. Filloi me fjalë ofenduese, filloi me thanë “më prit në Prizren, po vij në Prizren, prit në Prizren”, tha Shala.