Zhvillimet e tensionuara në Veri, Gjermania del me propozim!
Gjermania po i përcjell me shqetësim zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një përgjigje për Klankosova.tv nga Ambasada e Gjermanisë, thuhet se ky vend i mbështet përpjekjet në dialogun Kosovë – Serbi, të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Gjermania duke iu referuar deklaratës së lëshuar të shtunën nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, me këtë rast njëjtë kërkon nga Kosova zgjatjen e plotë të afatit për targat dhe pezullimin e qortimeve, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhjet përmes dialogut.
Shteti gjerman konsideron se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje, veçse e përshkallëzon situatën.
Tutje në përgjigjen e ambasadës, Gjermania iu bën thirrje serbëve që t’i kryejnë obligimet e veta, të kthehen në institucionet e Kosovës dhe t’i përmbushin detyrat e veta në institucione, polici, gjyqësi dhe administratë lokale.
Vendi që udhëhiqet nga kancelari Olaf Scholz, sikurse kërkoi SHBA dhe BE, kërkon nga institucionet e Kosovës që të nisin negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ky vend konsideron se themelimi i këtij asociacioni është obligim ligjor për Kosovën.
Gjermania kërkon nga palët (Kosova dhe Serbia) që të garantojnë paqe dhe stabilitet.
Në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për klankosova.tv, thuhet se çdo veprim si djegia e makinave apo retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, që janë të papranueshme.
Ambasada Gjermane thekson se institucionet ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë janë të gatshme për të siguruar një ambient të sigurt.