Lajme

Imami e kishte rrahur gruan me grushta e me dru, Gjykata merr këtë vendim

Ish-imami Drilon Gashi, gjatë viti 2018 kishte rrahur bashkëshorten e tij, për të cilën ishte gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit që e ka siguruar Peja në Fokus, pas një mosmarrëveshjeje për çështje familjare, ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas duke e goditur me grusht dhe më dru, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Për këtë veprim ishte iniciuar rast për veprën penale: Lëndim i lehtë trupor.

Gjykata Themelore në Pejë, konform kishte shqiptuar “Vërejtje Gjyqësore”, me të cilën Gashit i bëhet me dije se ka kryer vepër të dëmshme dhe të rrezikshme, që përbën vepër penale për të cilën nëse ai sërish e përsëritë, gjykata do t’i shqiptojë sanksione më të rëndë penale.

Arsyetimi për lehtësim të dënimit kishte ardhur pasi ish imami-Gashi, kishte pranuar fajësinë, duke manifestuar keqardhje për atë që i ka ndodhur.

“Në shqyrtimin fillestar i pandehuri- pasi që paraprakisht i është lexuar aktakuza, është njoftuar me të drejtat dhe detyrimet procedurale, dhe pasojat e pranimit, përkatësisht mos pranimit të fajësisë. Drilon Gashi ka pranuar fajësinë dhe ka manifestuar keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur. Këtë pranim të fajësisë, gjyqtari pasi që paraprakisht ka e ka marrë pëlqimin nga pakurori i shtetit dhe të dëmtuarës, i bindur se pranim-fajësinë i pandehuri e ka bërë ashtu siç e parasheh ligji – vullnetarisht pa u ndikuar nga askush dhe në asnjë mënyrë, e ka pranuar”, thuhet në vendim.

Po ashtu sipas gjykatës, masa lehtësuese është marrë për shkak i pandehuri Gashi është pajtuar me gruan ( të dëmtuarën) dhe tani më kanë raporte të mira, si aspekti I gjendjes së rëndë ekonomike, “është mbajtës i vetëm i familjes pesë anëtarësh”.

Ndryshe, katër vite më parë Bashkësia Islame e Kosovës, kishte shkarkuar Drilon Gashin nga puna si imam i xhamisë Nur në Vitomericë të Pejës. Ndër arsyet ishte konsideruar edhe kontraversiteti gjuhësor që nuk përkon me Islamin.

Ndërkaq, në qershor të vitit 2021 ishte raportuar për emërimin e tij si këshilltar në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, por që emri i tij nuk figuron në uebfaqen e Kuvendit.