Sherr në një familje/ Babë e bijë në pranga të Policisë, vajza kërcënon policin: Plumb ki me hongër
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku janë të përfshirë bashkëshortët, baballarët me fëmijë e anëtarët e tjerë të familjes. Shumë herë janë prindërit ata të cilët futen në sherr me fëmijët e tyre dhe për pasojë përfundojnë në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të martën në fshatin Katund i Ri në Pejë, ku babë e bir janë kapur me njëri – tjetrin, konflikt ky që eskaloi në kanosje sharje, ofendime e kanosje. Rasti u denoncua nga babai, i cili fillimisht kërkoi ndihmë nga Policia si viktimë, por doli se ishte i dyshuar për rastin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se posa rasti është raportuar, palët janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.
Por sherri vazhdoi edhe aty dhe këtë herë u kërcënua një zyrtar policor. Ishte vajza e të dyshuarit ajo që pengoi procesin dhe policët u detyruan ta largojnë. Në shenjë revolte, e njëjta dyshohet se e ka kanosur njërin nga policët, duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq.
Ndër të tjera, ajo dyshohet të ketë thënë “Plumb ka me hongër ky…”, duke iu referuar zyrtarit policor. Të njëjtat burime thonë se si pasojë e kanosjes, e dyshuara është arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, babë e bijë janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet për dhunë në familje dhe kanosje.