Dikur ua qante hallin ndërsa sot e quajnë normale ikjen e qytetarëve nga Kosova- Çfarë ndodhi me Vetëvendosjen?
Ikja e qytetarëve nga Kosova është bërë trend shqetësues, ndërkaq Oda Ekonomike ka kohë që alarmon se bizneset po mbesin pa punëtorë.
Lëvizja Vetëvendosje, që qeveris me vendin, e konsideron normale këtë, megjithëqë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kërkuar krijimin e një strategjie që do ta parandalojë ikjen e të rinjve nga vendi.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se “duhen statistika”, kur u pyet sot nga deputetët për largimin e qytetarëve. Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim dhe se kjo “është diçka normale”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha Bislimi.
Ai e pranoi se “mund të bëhet më shumë” për t’i bërë të rinjtë që të qëndrojnë në Kosovë. Por, duke e hequr disi përgjegjësinë, tha se problem “ndoshta” janë kushtet e punës.
“A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan ka shpallje që kërkojmë punëtorë, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, tha ai.
Zëvendëskryeministri foli me shpërfillje edhe për disa statistika të ikjes së të rinjve, ndërsa tha se për këtë çështje nuk duhet të merret parasysh as çka thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Tha se informatat duhet të merren vetëm nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qëndrore e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
“Për këto informata mund të diskutojmë. Se me e pyet, për shembull, Jusuf Azemin, ai thotë 600 mijë punëtorë e kanë lëshu punën. Por nuk mund t’i marrim përbazë këta persona”, tha ai.
Çfarë thoshte LVV-ja dikur, jo shumë moti
Jo shumë vjet më parë, Lëvizja Vetëvendosje thoshte se qytetarët po iknin për shkak të kushteve ekonomike, madje edhe pa ditur e pasur se ku të shkojnë.
“Njerëzit ikin nga ky shtet sepse iku edhe kryeprokurori, si puna e Elez Blakajt, nga kryeministri e Qeveria. Kosova është një vend prej nga nuk po ikin kriminelër, por po ikin prokurorët”, thoshte kryeministri i tanishëm, Albin Kurti në një seancë të Kuvendit në prill të vitit 2019, pak muaj para se të vinte në pushtet për herë të parë.
“Neve na ka ikur paraja. Kur ikë paraja, ikin njerëzit. Me këtë deficit tregtar, ne po zbrazemi nga paraja, e më pas edhe nga njerëzit”, shprehej Kurti.
Si problem, ai përmendte mungesën e një banke zhvillimore dhe “orientimin e gabuar socio-ekonomik”. Kjo, thoshte ai, “natyrisht që shkakton këtë lloj krize të madhe në shoqërinë e në vendit tonë”.
Për parandalimin e ikjes së qytetarëve, Kurti kishte përmendur lidhjen e ekonomisë dhe arsimit, si dhe banesat për çiftet e reja.