21 vjeçari kërcënon policin pas aksidentit në trafik: Edhe mrena ke me nejtë me antiplumb
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Për një rast të tillë që ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka ka ndodhur pas një aksidenti në trafik, ku kishte mbetur e lënduar bashkëshortja e një zyrtari policor.
Pas aksidentit, pasagjeri që ishte në veturën që dyshohet se shkaktoi përplasjen, dyshohet se ka kërcënuar zyrtarin policor që doli në vendngjarje, duke i thënë se do ta detyrojë të qëndrojë me jelek antiplumb edhe brenda hapësirave të shtëpisë së tij.
Lidhur me këtë, polici ka denoncuar rastin dhe i dyshuari është intervistuar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 21-vjeçarit kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.