Alarmante: Tre persona dje tentuan t’i japin fund jetës në Gjakovë, Ferizaj e Mitrovicë – në mesin e tyre një e mitur
Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar për një rast të vdekjes së dyshimtë në Rahovec, ku sipas informacioneve të para, dyshohet se 37-vjeçari i ka dhënë fund jetës së tij.
Ajo që e bën edhe më alarmante është se vetëm gjatë ditës së djeshme tre persona në Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë, kanë tentuar që të kryejnë akte të shkaktimit të qëllimshëm të vdekjes së tyre.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një 21-vjeçare në Gjakovë, është dërguar atje për ndihmë mjekësore. Viktima dyshohet se i ka shkaktuar lëndime vetes me kanaqen e pijes joalkoolike. Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e saj është stabilizuar.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë dëshminë e vajzës, sipas të cilës gjithë këtë veprim e ka bërë për shkak të mërzisë së saj lidhur me gjendjen shëndetësore të nënës së saj. Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’.
E një obligim financiar, dyshohet se shtyu një burrë 62-vjeçar në Ferizaj të marrë vendimin për t’i dhënë fund jetës. Qytetarët të alarmuar kanë njoftuar Policinë se viktima ka hipur në një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesor në ndërtim në rrugën “Ahmet Kaçiku”. Kjo ka bërë që njësitë policore të aktivizohen dhe pas daljes në vendin e ngjarjes arritën që ta bindin 62-vjeçarin që të mos kryejë vetëvrasje.
Viktima ka zbritur poshtë me dëshirën e tij dhe ka shpëtuar pa asnjë lëndim. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Vetëvrasje në tentativë’.
Ndihmë në spital kërkoi edhe një vajzë e mitur në Mitrovicë. Sipas burimeve nga Emergjenca, ajo është dërguar atje me plagë në dorë, e cila dyshohet t’i jetë shkaktuar si pasojë e prerjes me mjet të mprehtë. Pas tretmanit mjekësor, gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Bazuar në dëshminë e prindit të saj dhënë organeve të hetuesisë, vajza e tij që një kohë është në gjendje të rënduar psikike. Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.
*Inkurajojmë këdo që ndodhet në periudha të vështira emocionale apo ka mendime për vetëvrasje, të drejtohet tek institucionet e specializuara për ndihmë dhe këshillim.