Lajme

Nëna në Prishtina humb foshnjat në javën e 21-të, akuzon mjekët e Gjinekologjisë për trajtim të pandërgjegjshëm

Një rast i rëndë ka ndodhur të dielën në Klinikën e Gjinekologjike dhe Obstetrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku një grua ka lindur të vdekura dy foshnjat e saj binjake. E për këtë, nëna 42-vjeçare fajtorë bën stafin mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tashmë kanë nisur hetimet lidhur me rastin dhe në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e nënës.

Sipas 42-vjeçares për shkak të dhimbjeve që kishte gjatë kohës që ishte 21 javë shtatzënë, kishte shkuar në spital ku edhe kishte marrë terapi. E pas kësaj, ajo ka pohuar se ka lindur dy foshnjat, njërën në shtëpi dhe tjetrën në Klinikën e Gjinekologjisë.

Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të foshnjave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.