Pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja në Kijevë të Malishevës – VIDEO
Mëngjesi i sotëm ishte i kobshëm për familjen Berisha. Mërgimtari, Berat Berisha, i cili pak ditë më parë kishte ardhur nga Anglia në Kosovë, dyshohet se ka privuar nga jeta xhaxhain e tij, Sadriun, me të cilin kishin shtëpitë në të njëjtin oborr në fshatin Kijevë të Malishevës, raporton Gazeta Sinjali.
E motivi që çoi drejt vrasjes, dyshohet të lidhet me një konflikt pronësor.
Në vendin e ngjarjes aktualisht po qëndrojnë të gjitha njësitë relevante, teksa sipas konfirmimit të zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj, i dyshuari tashmë është arrestuar.
“Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e shtetit në drejtim të veprës penale të vrasjes”, tha Elezaj për Sinjalin.
Ndërkohë mediat lokale kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata