Lajme

“Kam me iu mbytë të gjithëve”/ 44 vjeçari brenda pak ditësh kërcënon tri herë vëllain dhe familjen e tij

Konfliktet në familjet kosovare për motive shpesh edhe banale janë raste që jo rrallëherë përfundojnë edhe në Polici. Prindër, motra e vëllezër kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i zgjidhur problemet që lindin mes tyre dhe për pasojë eskalojnë në sharje, ofendime e kërcënime, raporton Gazeta Sinjali.

Për motive ende të panjohura, një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në Suharekë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar vëllain dhe familjen e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 44-vjeçari dyshohet se ka shkuar te shtëpia e vëllait të tij dhe i ka kërcënuar me jetë, duke u thënë se do i mbysë të gjithë.

Të frikësuar dhe të shqetësuar nga kjo situatë, viktima ka vendosur që rastin ta denoncojë në organet e rendit.

Njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë 44-vjeçarin i cili brenda pak ditësh, dyshohet se ka kryer tri raste të njëjta.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.