Ky është i dyshuari për therjen me thikë në Prizren, kapet pas disa ditësh në arrati
Para disa ditësh u raportua për një rast të përleshjes që ka ndodhur të dielën e kaluar në rrugën “Adnan Krasniqi” në Prizren, ku një person mbeti i therur me thikë. 28-vjeçari pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa i dyshuari arriti të ikë nga vendi i ngjarjes.
Por pas disa ditësh në arrati, Policia ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit dhe i njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Alban Aliajn, 30-vjeçar, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor’. I riu është arrestuar dhe shoqëruar në stacion, pasi zyrtarët policorë arritën ta lokalizonin vendndodhjen e tij.
Gjatë dhënie së dëshmisë para hetuesve, Sinjali mëson se i dyshuari e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.
Aliaj po dyshohet se për motive akoma të panjohura, pasditen e 24 prillit, pas një përleshje me viktimën, (28-vjeçar) ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe ka eskaluar deri në përdorimin e thikës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.