Lajme

“Ma keni ndalu gruan, shtrenjtë keni me pagu”, suharekasi kërcënon vjehrrin pasi bashkëshortja e denoncoi për dhunë

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato dhe familjet e tyre shpeshherë përballen edhe me kërcënime serioze, si pasojë e denoncimit të dhunës, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në Suharekë, ku një 29-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur familjen e gruas, pasi ajo e kishte raportuar para një jave në Polici.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti i fundit ka ndodhur ditën e djeshme, kur i dyshuari ia ka zënë pritën vjehrrit të tij, të cilin e ka akuzuar se ata janë fajtorë për problemet që ka me gruan.

Sinjali mëson se ndër të tjera, i dyshuari e ka akuzuar viktimën se “ma keni ndalur gruan”, duke e paralajmëruar se “shtrenjtë keni me pagu”, gjoja se për telashet që ia kanë shkaktuar.

Përballë kësaj situate dhe shqetësimit të vazhdueshëm nga i dyshuari, viktima ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje se çka ka ndodhur që disa ditë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka mohuar që ka pasur synim që t’i kërcënojë dhe frikësojë.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.