Tentoi ta “furnizojë” me drogë djalin e tij që vuan dënimin në Burgun e Dubravës, ky është personi që u arrestua
Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike.
Kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të tillë që ka ndodhur edhe dje në orët e pasdites, kur një burrë ka përfunduar në Polici pasi dyshohet se ka tentuar t’i jap substanca narkotike djalit të tij që po vuante dënimin në Burgun e Dubravës.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi të cilit i kushtoi me ndalim policor tentativa për ta furnizuar me drogë të birin është Sali Pajaziti, 54-vjeçar.
I dyshuari kishte shkuar për vizitë te i burgosuri dhe i kishte dërguar substanca narkotike, të llojit marihuanë.
Por plani i dështoi, pasi siç mëson Sinjali, ai u kap nga oficerët korrektues, pasi e kontrolluan, duke ia gjetur kështu drogën të fshehur në rroba.
Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, ku u sekuestrua droga, teksa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar edhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.