Babë e bir shkuan të bëjnë Bajram te vajza e tyre, e bëjnë për spital dhëndrin
Vizita me rastin e festës së Bajramit të Fitrit, u kthye në një rrëmujë të vërtetë në shtëpinë e familjes Uka në Çagllavicë të Prishtinës. Kjo pasi që babai dhe vëllai i nuses së tyre, dyshohet se u përfshinë në një përleshje fizike me dhëndrin, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal mes miqve dhe dhëndrit, çka ka bërë që situata të eskalojë në dhunë fizike ndërmjet palëve.
Si pasojë e dhunës, dhëndri ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që miqtë janë arrestuar në vendngjarje dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Dëshminë e tij lidhur me rastin e dha edhe dhëndri, pasi mori ndihmën mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe ndaj tyre të nisin hetimet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.