Lajme

“S’ndihem e rrezikuar”, 30-vjeçarja e raporton të dashurin, por i kërkon Policisë që të mos e hetojnë

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua 30-vjeçare në Prishtinë, e cila e ka raportuar burrin me të cilin bashkëjeton për vite me radhë, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin çifti fillimisht kanë pasur një debat që ka eskaluar më pas në dhunë, pasi i riu dyshohet se e ka goditur partneren e tij.

Posa rasti është denoncuar në Polici, viktima dhe i dyshuari janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë versionet e tyre lidhur me atë që ka ndodhur. Viktima ndonëse ka treguar se ka pasur dhunë, ajo ka kërkuar që të mos nisin hetimet ndaj të dashurit të saj.

Siç merr vesh Sinjali, 30-vjeçarja ka deklaruar se nuk ndihet në rrezik dhe dëshiron të vazhdojnë bashkëjetesën.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti si “Dhunë në familje”.