Përleshje brutale mes disa personave në restorantin HIB: 30-vjeçarit pëson lëndime të rënda, Policia përdor sprej
Pompat e derivateve shpeshherë janë vendi ku mes të rinjve shpërthejnë konfliktet, të cilat për pasojë eskalojnë në përleshje brutale. Të tilla raste ndodhin kryesisht në orët e vona të natës, pasi këto biznese veprojnë edhe pas mesnate. Kështu ka ndodhur edhe të dielën, në restorantin e Hib Petrol në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë në rrahje janë përfshirë disa të rinj, të cilët po dyshohen se kanë sulmuar një 30-vjeçar, që për pasojë ka marrë lëndimë të rënda trupore.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se katër të dyshuarit janë A.Xhafo, E.Cineralli, E.Berisha dhe M.K., që po dyshohen se fillimisht janë përfshirë në rrahje brenda restorantit në HIB, e më pas kanë vazhduar edhe jashtë.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë detyruar që të përdorin sprej në mënyrë që ta vënë situatën nën kontroll, për shkak se rrahja po vazhdonte.
Sinjali mëson se viktima që u sulmua nga të dyshuarit është dërguar në Emergjencë për të marrë trajtim dhe sipas informacioneve të para ka thyer disa gishtërinj të dorës.
Teksa i njëjti ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Me t’u përfunduar procedurat e nevojshme, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “Lëndim i rëndë trupor” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshëm hetimore.