Lajme

Pamje nga vendi i ngjarjes në Pejë, ku dyshohet se djali vrau nënën e tij

Fakton.info raportoi sot për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në lagjen Kapeshnicë të Pejës ku dyshohet se djali privoi nga jeta nënën e tij, duke ia këputur kokën me thikë e pastaj edhe duke ia pirë gjakun e saj.

Burimet e Sinjalit kanë konfirmuar se i dyshuari për këtë ngjarje makabër është Urim Hyseni nga Peja ndërsa viktima është Hyrije Broqi-Hyseni.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari ka jetuar për rreth pesë vjet në shtetin e Gjermanisë dhe kishte ardhur përkohësisht në familjen e tij për vizitë ku pas disa ditësh pritej të kthehej në Gjermani.


Pamje nga vendi ku u privua nga jeta Hyrije Broqi-Hyseni
Krimi makabër në Pejë dyshohet se u krye me gjakftohtësi, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është provuar se viktimës i ishte këputur me thikë koka nga trupi, ku koka ishte vendosur në tavanin e shtëpisë, ndërkaq trupi në katin tjetër.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se skena ishte rrënqethëse dhe familjarët ishin të trishtuar nga ajo çfarë kishin parë me sy.

Tmerri i kësaj ngjarje bëhet akoma më i rëndë për shkak të dyshimit se pas kryerjes së krimit, gjaku i viktimës u pi nga djali i saj.

Burime e afërta me familjen Hyseni, në kushte anonimiteti kanë bërë me dije se konflikti mes të dyshuarit Urim Hyseni dhe nënës së tij ka filluar për shkak të akuzave të Urimit se nëna është fajtore për ndarjen nga bashkëshortja e tij.

Këto burime, konfirmuan se i dyshuari ishte i martuar me një grua nga komuna e Gjakovës, mirëpo për shkak të përkeqësimit të raporteve ai ishte ndarë nga bashkëshortja e tij, ku për këtë e fajësonte edhe nënën e tij.

Megjithatë ky është vetëm version fillestar në lidhje me motivin e krimit makabër në Pejë, por iu mbetet autoriteteve të rendit që ta konfirmojnë motivin dhe rrethanat tjera që kulmuan me humbjen e jetës së një nëne të pafajshme.