Sveçla shkon në Bërnjak: Policia po i kryen detyrat në tërë territorin e Republikës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shkuar në veri të vendit për t’i vizituar pjesëtarët e Policisë së Kosovës atje.
Sveçla tha në një postim në Facebook se policët e Kosovës po i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me përkushtim, “duke siguruar ambient të qetë”.
“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak, në stacionin policor të kufirit në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare në Jasenovik. Gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës me përkushtim janë duke përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke siguruar ambient të qetë dhe shërbime për të gjithë qytetarët, si në pikat kufitare ashtu edhe brenda gjithë territorit të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.
“Policia e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si e tillë, ajo do të vazhdojë të kryejë misionin e saj me gatishmëri të plotë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim”, ka shtuar ministri.