Të dyshuarit për sulmin ndaj Sylës u zbuluan nga Drejtoria e Terrorizmit, ky është dyshimi që rëndon mbi ta
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për tre të arrestuarit që dyshohen për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.
Në këtë komunikatë thuhet se arrestimi i tre të dyshuarve është arritur pas një punë intensive të Policisë së Kosovës përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizimit.
Tre personat e arrestuar Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dyshohen për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.
Në fund të komunikatës bëhet e ditur se tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
Komunikata e plotë:
Arrestohen tre persona të dyshuar për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla
Prishtinë, 12 prill 2023 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të cilët kanë sulmuar gazetarin, Valon Syla.
Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuarit, për rastin e sulmit fizik të datës 11.04.2023, ndaj gazetarit Valon Syla, arrestimi i të cilëve është realizuar sot me datë 12.04.2023.
Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.
Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.