Lajme

Arrestohen tre personat që e sulmuan gazetarin Valon Syla

Një ditë pas sulmit ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla, Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë tre personat e dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit.”, njoftoi Sveçla.

Sulmi i rëndë ndaj gazetarit Valon Syla ka nxitur reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe misionet e huaja në Kosovë. Në orën e parë të raportimit për sulmin, ka reaguar Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se ka nisur “hetimet intensive” për të sqaruar dhe identifikuar të dyshuarit që sulmuan gazetarin Valon Syla të hënën mbrëma. Prokuroria tha se sulmi ndaj Sylës është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”.

Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë që pësoi. Ai thuhet se u sulmua nga tre persona.

Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.