Lajme

Kush është Mazllam Mazllami? Akuzat për terrorizëm, afërsia me ish-Prokurorin kosovar që preferonte sheriatin, vlerësimi si humanist nga xhemati

Imami i xhamisë në Ortakoll të Prizrenit, Mazllam Mazllami, është pensionuar në fundjavë me një ceremoni festive e organizuar në një restorant në Prizren, me ç’rast mori dhuratë edhe një veturë “Mercedes” e cila u shpalos, nën atmosferën e fishekzjarrëve, nga myftiu Naim Tërnava. Dhurata që u konsiderua luksoze bëri bujë në rrjete sociale dhe media, duke e rikthyer edhe një herë vëmendjen tek imami prizrenas që kulmin e “famës” e kishte në vitin 2014 kur doli të jetë në mesin e dhjetëra imamëve të arrestuar për terrorizëm. Katër vite më vonë, në vitin 2018, ai dhe bashkë të akuzuarit e tjerë u liruan nga akuzat nga Gjykata e Prishtinës. 

Pos festës së pensionimit këtë fundjave, një tjetër tubim me xhematin e imamit prizrenas Mazllam Mazllami, në një restorant në Prizren, i zhvilluar gjatë vitit 2015, kishte tronditur opinion dhe sistemin e drejtësisë, shkaku i një ligjërimi krejtësisht të pazakontë aty. Jo nga imami që për pensionim iu dhurua një veturë “Mercedes”, por nga ish-prokurori i Shtetit, Basri Morina.

Dukej e pabesueshme, por dokumentohej më pamje e video, që i kishte zbuluar e publikuar gazeta Express në janar të vitit 2016, disa muaj pas ngjarjes.

Basri Morina, ish-prokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në ceremoninë në fjalë ligjëronte aplikimin e sistemit të drejtësisë sipas “Drejtësisë Islame”, që përkon me të drejtën e Sheriatit.

Para xhematit të imamit Mazllami, prokurori i Shtetit, tregonte vetë se si në një rast kishte kërkuar që të pandehurit t’i pritej dora si dënim, njëjtë sipas ligjeve fetare islame, raporton Reporteri.

“Qu bire cungun, qu bire sakicën”, tregonte vetë Morina të ketë kërkuar nga ndihmësi i tij, derisa pranë kishte një të akuzuar për vjedhje duke quajtur spiun njërin nga personat tjerë të pranishëm i cili, sipas tij, kishte reaguar ndaj kësaj thirrjeje të ish-prokurorit.

“Ai shpijuni që ishte në zyre, nga aty asht’ qu – ka thanë haxhia po gjykon me sheriat”, tregonte gjatë ligjërimit të tij ish-prokurori Morina, që pas raportimit në media të videos e cila atë kohë ishte e publikuar në Youtube, ishte shkarkuar nga sistemi i drejtësisë për këtë ligjëratë që më pas edhe ishte fshirë nga interneti.

Paradoksi tjetër i asaj ceremonie ishte se gjatë kohës kur një Prokuror i Shtetit ligjëronte aplikimin e “Sheriatit” në Kosovë, këtë e bënte si nikoqir i një imami që pikërisht në atë periudhë po gjykohej për nxitje të terrorizmit në vend. Fjala është për Mazllam Mazllamin, që si kishte kursyer lavdet për ish-prokurorin Morina, pas ligjëratës së tij që sfidonte ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Imami prizrenas, Mazllam Mazllami, në shtator të vitit 2014 ishte arrestuar bashkë me një grup imamësh tjerë, mbi dyshimet se kanë nxitur terrorizëm në vend dhe nëpërmjet predikimeve nëpër xhami duke përcjellë mesazhe te persona të ndryshëm që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al Nussra” e “ISIS”.

Imami Mazllam Mazllami

Gjykimi ndaj tyre kishte vazhduar deri në vitin 2018, kur Mazllami dhe pjesa tjetër e grupit të akuzuar ishin liruar nga akuzat me vendim të trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Mazllam Mazllami, akuzohej se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI.

Dëshmitar në procesin ndaj tij dhe pjesës tjetër të grupit të imamëve kishte qenë edhe Veton Krusha, vëllai i Hamdi Krushës, një 22 vjeçar nga Kosova i vrarë në vitin 2016 gjatë luftimeve në Siri.

Krusha, para gjyqit kishte dëshmuar se si vëllai i tij i vrarë në prill të 2016’ës në Siri, dy vite para se të merrte rrugën për në ‘Al Nussra’ kishte nisur të shkonte në xhaminë ku shërbente imami Mazllam Mazllami, që ndodhet në lagjen Ortakoll të Prizrenit. Megjithatë, në aktakuzën ndaj Mazllamit dhe imamëve tjerë, Prokurori special pretendonte se familja Krusha kishin pohuar tek autoritetet kosovare të sigurisë se ligjëratat e një tjetër imam, e jo Mazllami, kishin mundur të ndikojë tek 22-vjeçari që të marrë rrugën ku gjeti vdekjen.

“Të akuzuarit shpallen të lirë në mungesë te provave”, kishte qenë epilogu i gjyqit ndaj Mazllam Mazllamit, dhe katër të akuzuarve tjerë për terrorizim, Fuad Ramiqi dhe Enes Goga, Idriz Bilibani e Bedri Boja, shkruan gazeta online Reporteri.net. Vendimi ishte shpallur me 18 maj 2018 në gjykatën e Prishtinës, katër vite pas arrestimit të tyre.

I pastër me drejtësinë, Mazllam Mazllami në fundjavë doli në pension. Dhe për dhuratë mori një veturë të tipit “Mercedes” që nxiti reagime të ndryshme në rrjetet sociale.

Dhuratën – që për shumë kë u konsiderua luksoze – Hoxhës, që dikur akuzohej për terrorizëm, e që xhemati i tij e quajnë “humanist” dhe prezantohet edhe si veteran i UÇK-së, ia zbuloi kryemyftiu i BIK’ut, Naim Ternava, në një iftar që u quajt “madhështor” të pensionimit të tij, i organizuar në Prizren.

“Kjo për mua është normale, sepse ne kemi parë gjithçka, çka ju është dhënë artistëve, artisteve, lojtareve dhe kjo për mua është normale”, i tha Mazllami mediave të martën, i pyetur rreth dhuratës së pensionimit.