Lajme

Djali i pronarit të ‘Meka Pro’ futet në sherr: Dyshohet se rrahu punëtorin e tij, dërgohet në ndalim

Mosmarrëveshjet mes eprorëve dhe punëtorëve janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe motivet jo rrallëherë dalin të jenë probleme që lidhen me punën. Konflikte të tilla verbale përfundojnë edhe në përleshje, për çka të dyshuarit futen në telashe. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe së fundmi në një kompani në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë në rast është i përfshirë djali i biznesmenit nga Prizreni, Ilir Pirajt, pronar i ‘Meka Pro” dhe dy kompanive tjera në Prizren e Dragash. I biri i tij, Luftar Piraj, i cili është menaxher në njërën nga këto kompani, ka përfunduar mbrëmë në prangat e Policisë, nën dyshimin se ka rrahur një punëtor.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Luftari, 24-vjeçar, po dyshohet se për motive akoma të panjohura ka sulmuar fizikisht punëtorin e tij (emër i njohur për redaksinë), duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi viktima vendosi që ta denoncojë atë që pretendonte se ka ndodhur në vendin e punës, duke dhënë versionin e tij para hetuesve policorë.

Si rezultat i raportimit, Policia dhe Prokurori i Shtetit janë aktivizuar në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me ç’rast i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me incidentin për të cilin dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, është nxjerrë aktvendim që Luftari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren dhe është bërë e ditur se për këtë ngjarje është iniciuar rasti edhe për veprën “Kanosje”

“Të martën, në orën 21:20 viktima ka raportuar se është sulmuar dhe kanosur nga menaxheri i tij. Policia e ka shoqëruar të dyshuarin, i cili është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha zëdhënësi i Policisë.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga babai i të dyshuarit, biznesmeni Piraj, por i njëjti ka refuzuar ta konfirmojë, duke thënë se “nuk është më rendësi”.

“Mos nxirrni palidhje…nuk është me rëndësi, s’keni nevojë kurrgjë. S’bon me publiku artikullin, jo s’po dojmë me dhënë versionin se nuk është në rregull. Ku është problemi? Nuk bon me publiku”, tha ai duke vazhduar me akuza ndaj redaksisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.