Hajnat bëjnë kërdi në një shtëpi, vjedhin stoli ari në vlerë të rreth 10 mijë eurove dhe para cash
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e ka pësuar mbrëmë një familje në fshatin Cernillë të Ferizajt.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë, ku kanë demoluar dhomat e gjumit dhe kanë arritur që të vjedhin para të gatshme dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e pronarit që ka denoncuar rastin në Polici, hajnat kanë vjedhur stoli ari në vlerë të rreth 10 mijë eurove dhe rreth 2 mijë euro para të gatshme.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.