Lajme

“Mashallah, meriton helikopter”: Xhemati i dhuron hoxhës Mercedes, Tërnava ia “pren shiritin”

Mazllam Mallzami është hoxhë nga Prizreni, që njihet për gjuhën e tij karakteristike, nganjëherë politikisht jokorrekte, dhe ligjeratave më zë të lartë,. Megjithatë, Mazllami aktualisht është i “popullarizuar” për një çështje krejtësisht jofetare. Xhemati i tij, pra ndjekësit e hoxhës, i kanë bërë një dhuratë goxha luksoze Mazllamit, pikërisht në ditën e pensionimit të tij.

Iftari i organizuar nga ana e vetë hoxhës nga Prizreni, doli të ishte shumë me “hajr”. Nga nata e kaluar, Mazllami, që u pensionua, ka në pronësi një veturë të re. Në prani të dhjetra burrave, përfshirë krerëve të ndryshëm të BIK-ut, Mallzami u pa i lumtur teksa qëndronte para veturës luksoze e tipit Mercedes, që ishte mbuluar në mënyrë dinjitoze për dhuratat.

Në videon e postuar nga gazeta “Epoka e re”, Mazllami shihet teksa në mënyrë të ngadalësuar e me ndihmën e myftiut Naim Tërnava, i largon “batanijen” veturës së tipit Mercedes.

Me buzëqeshje e në përcjellje të duartrokitjeve, dëgjohen zërat e njerëzve teksa shpalosin uratat e tyre drejtuar Mazllamit që po e shikonte veturën.

“Mashallah, përhajr” – dëgjohen tek thonë në prapavijë të pranishmit, ndërsa anash shihen edhe ca fishekzjarre të përcjellura me duartrokitje frenetike.

Sigurisht, hoxhë Mazllami nuk ngurroi ta provonte veturën e dhuruar nga ana e xhematit të tij. Disa prej të pranishmëve, bëjnë edhe shaka me hoxhën.

“Runu ej, runu” – dëgjohet një njeri të thotë teksa hoxha ia dhezë dritat veturës së re.

Në mesin e të pranishmeve ishte edhe Ahmed Kalaja, hoxhë i njohur nga Shqipëria, i cili ka pasur shumë fjalë të mëdha për kolegun e tij tashmë të pensionuar.

“Në ka që i puthet koka e balli

Ai është Mazllam Mazllami.

Sa herë rri pranë tij e kuptoj sa gjigand është e sa te vegjël jemi.” – shkroi ndër të tjera z. Kalaja.

Urimet për hoxhën…

Fotografitë e postuara në RTI, një medie me ngjyrime fetare, kanë marrë shumë pëlqime. Në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 1 mijë e 700 persona i kanë pëlqyer fotografitë ku shihet vetura, pronari i saj, hoxhë Mazllami e myftiu Tërnava.

Përveç pëlqimeve të shumta, fotografitë natyrshëm kanë marrë edhe shumë komente. Shumica dërrmuese, nëse jo të gjitha, janë komente pozitive e urata për veturën e re. Madje, një komentues me emrin Arion Xhyliqi vlerësoi se vetura është pak për hoxhën Mazllami.

“Helikopter meriton hoxha Mazllam!” – shkroi z. Xhyliqi, me të ëilin u pajtuan edhe 12 qytetarë, të ëilët e pëlqyen komentin e tij.

Një qytetar tjetër, me emrin Urim Sejdiu, i uroi shëndet e bereqet hoxhës së pensionuar.

“MashaAllah e meriton, sa gezimin e ka sjelle tek skamenoret dhe jetimat!

Allahu i dhashte shendet dhe bereqet!” – shkroi ai, me mendimin e të ëilit u pajtuan 19 qytetarë.

Ndryshe, Mazllami është veteran i UÇK-së dhe hoxhë i njohur. Ai është imam në xhaminë e “Xhafer Efendisë”, e njohur si xhamia e “Jeni Mahallës” në Prizren.

Vite më parë, hoxhë Mazllami ishte përballur edhe me një aktakuzë për veprat penale nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. Në lidhje me këtë aktakuzë të Prokurorisë së Kosovës, Mazllami ishte shpallur i pafajshëm.