Vëllai i Donjeta Pajazitajt: Kamerat tregojnë se Naser Pajazitaj e mori me gjip, ia skeletosi trupin në mal
Shkëqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt e cila u vra në bjeshkët e Deçanit në nëntor të vitit 2015, është shumë i indinjuar pasi Gjykata Supreme të enjten e liroi të akuzuarin Naser Pajazitaj.
Shkëlqimi tha në Frontal në T7 se pasi Donjeta nuk po gjendej, i akuzuari kishte qenë disa herë te familja e tyre.
“Bashkë me familjarët ka ardhur disa herë te familja jonë për të pyetur”, tregon Shkëlqimi.
Ai tha se në bazë të disa pamjeve të kamerave, Naser Pajazitaj kishte marrë Donjetën me veturë.
“Gjipi i Naserit ndalet, hapet dera dhe hyn dikush me flokë të bardha. Ai ka thënë jam ndalë dhe e kam përshëndetur një dëshmitar i cili ka thënë se as nuk e kam takuar”, thotë Shkëlqimi.
“Ka ardhë te ne ka thënë e kemi parë në diskoteka, nëpër vende ku bëhet prostitucion”, tregon Shkëlqimi për vizitat e Naser Pajazitajt gjatë gjashtë javëve kur Donjeta nuk dihej se ku ndodhej.
“Kanë kaluar gjashtë javë dhe kur është gjetur kufoma, pas varrimit dy ditë ka ardhur në të pame dhe ditën e tretë nuk ka ardhë”, thotë ai.
Trupin e Donjetës e kishin gjetur në mal disa banorë të Strellcit.
“Krejt kjo pjesa e sipërme ishte e skeletosur”, thotë Shkëlqimi, kur tregon për gjendjen në të cilën ishte gjetur motra e tij.