Lajme

Aksion kundër krimit të organizuar dhe bixhozit në Prishtinë dhe Pejë, ndalohen dhjetë persona

Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Kjo po dëshmohet sidomos javëve të fundit me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra të dyshuarve gjithandej vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Një operacion policor i zhvilluar në 12 lokacione në Prishtinë dhe Pejë ka rezultuar me arrestimin e dhjetë personave të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘Krim i organizuar’, ‘organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

Po ashtu janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online. Me vendim të prokurorit ata janë liruar në procedurë të rregullt.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, në kërkim policor mbeten edhe gjashtë persona tjerë.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:

Para të gatshme – 4,423.00 euro.

Aparatet e lojërave të fatit – 2 copë

Telefona mobilë – 25 copë

Kompjuterë laptop – 2 copë

DVR – 2 copë si dhe

Materiale/dokumente relevante për rastin”, njofton Policia.

Me urdhër të prokurorit dhjetë të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të Policisë së Kosovës, me autorizim të Prokurorit të Shtetit – Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në mbështetje të njësive të specializuara policore (NJRSH, njësitë e Krim teknikës) ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, për arrestimin e personave të dyshuar dhe kontrollin e disa lokacioneve, për shkak të dyshimit se personat e dyshuar kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Operacioni policor është realizuar në dy rajone të Republikës së Kosovës (Prishtinë dhe Pejë).

Ky operacion policor është zhvilluar pas hetimeve disa mujore, ku personat e dyshuar në bashkëveprim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale të lartcekura për një periudhë të gjatë kohore.

Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët lirohen në procedurë të rregullt, të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online.

Gjatë kontrollit edhe gjashtë (6) të dyshuar tjerë nuk janë hasur në lokacionet e tyre, andaj të njëjtit mbeten në kërkim policor.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:

Para të gatshme – 4,423.00 euro.

Aparatet e lojërave të fatit – 2 copë

Telefona mobilë – 25 copë

Kompjuterë laptop – 2 copë

DVR – 2 copë si dhe

Materiale/dokumente relevante për rastin.

Me urdhër të prokurorit kompetent 10 të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë