Hajnat ia mësyjnë shtëpive të dy vëllezërve, vjedhin para dhe ari në vlerë të mbi 11 mijë euro
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një shtëpi në fshatin Surkish të Podujevës, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë prej mijëra euro.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronari i shtëpisë, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari që kapin vlerën e mbi 11 mijë eurove.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë hyrë edhe në shtëpinë e vëllait të tij, por aty s’kanë arritur të kapin asgjë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.