Rasti i rëndë në ‘Trepçë’: Ky është punëtori që vdiq tragjikisht pasi ra nga 7 metra lartësi
Një rast i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm te objekti i Trafostacionit në Trepçë të Mitrovicës, ku një punëtor ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi, duke pësuar kështu plagë të cilave nuk arriti t’iu bënte ballë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor, teksa rasti është konfirmuar edhe nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se punëtori që vdiq gjatë ndërrimit të natës është Behram Arifi, i cili dyshohet se ra nga më shumë se shtatë metra lartësi dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.
Posa rasti është raportuar në Polici, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe kanë nisur hetimet qe zbardhin rrethanat në të cilat ka vdekur i ndjeri.
Edhe nga Policia e kanë konfirmuar vdekjen e 58-vjeçarit.
“Sot, rreth 07:00, Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës brenda kompleksit industrial ” Trepça” është gjetur pa shenja jete viktima mashkull 58 vjeçar. Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi e objektit. Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për identikfikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion.”