Rast i rëndë për familjen Vezgishi në Prizren, mërgimtari që erdhi për pushime gjendet i vdekur në banesë
Pushimet në Kosovë janë kthyer në dhimbje e pikëllim për familjen Vezgishi në Prizren. Kryefamiljari 66-vjeçar, i cili erdhi nga diaspora, u gjet i vdekur sot në banesën e tyre në rrugën “Hamit Bojniku”. Ky rast ka tronditur gjithë familjen, teksa akoma nuk dihen shkaqet e vdekjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për mërgimtarin Ahmet Vezgishi, vdekjen e të cilit e konfirmoi ekipi mjekësor, që doli në vendin e ngjarjes posa rasti u raportua.
Familja e të ndjerit kërkuan ndihmën e Policisë dhe të Emergjencës, pasi e gjetën 66-vjeçarin pa shenja jete, të shtrirë në tualetin e banesës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse të Policisë, që kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për t’u ndriçuar rrethanat në të cilat ka vdekur 66-vjeçari.
Lidhur me rastin, në kuadër të veprimeve hetimore, zyrtarët policorë kanë marrë deklaratat e familjarëve, sipas të cilëve, i ndjeri nuk ka pasur shenja dhune.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.