Kryesore

A duhet bërë çdo ditë nijet për agjërim? Sqaron hoxha!

Profesori i Medresesë në Prishtinë, Muhamet Stublla në emisionin special “Fanari” në Tëvë1 ka folur për dispozitat e agjërimit.

Stublla tha se për të qenë agjërimi i kompletuar dhe i vlefshëm, atëherë patjetër që duhet të bëhet nijet paraprakisht, mirëpo, ai tha se nuk është e detyruar të theksohet me zë.

“Fillimisht është mirë që muaji i Ramazanit të fillojë me dhurata të caktuara nga prindërit, të dekorojnë shtëpinë, të bëjnë atmosferë të Ramazanit… Nijeti sigurisht që është kusht e të gjitha adhurimeve të cilat janë të qëllimshme, sikur që është agjërimi. Atëherë, detyrimisht agjërimi i muajit të Ramazanit duhet të jetë i pajisur me nijet. Pasi në këtë mënyrë agjërimi do të jetë i kompletuar dhe i vlefshëm. Prandaj, çdo ditë e agjërimit është ibadet, adhurim në vetvete. Nuk është kusht që të theksohet me zë të lartë nijeti për agjërim, nëse në vetëdije dhe në zemër do të agjërojë, atëherë nijeti është i vlefshëm” , deklaroi Stublla në emisionin “Fanari” kushtuar muajit të shenjtë të Ramazanit.

I pyetur se a lirohen nga agjërimi ata persona që janë në udhëtim, Stublla tha se Zoti i ka liruar nga agjërimi udhëtarët, në mënyrë që pastaj të kompensohet.

“Por, kush llogaritet udhëtar? Çdo person i cili ka dalë nga rrethina e vendbanimit të tij, para kohës së Imsakut dhe ka përshtypjen që nuk do të kthehet në vendin e tij para perëndimit të diellit, llogaritet udhëtar dhe është i liruar nga agjërimi”, tregoi Stublla. Megjithatë, ai tha se nëse udhëtarët kanë mundësi të agjërojnë, duhet ta bëjnë.

Stublla sqaroi edhe kushtet e agjërimit për gratë shtatzëna dhe gjidhënëse. AI tha se Allahu ka bërë lehtësira edhe në këto raste.

“Për ato gra që janë shtatzëna apo gjidhënëse, Zoti xh.sh, ka lejuar dhe ka bërë lehtësira. Mirëpo, nëse rrezikohet shëndeti i nënës, apo i foshnjës, atyre nuk u lejohet të agjërojnë edhe nëse duan. Sepse, dëmtimi i vetvetes apo i të tjerëve, është i ndaluar fetarisht”, shtoi Stublla. /teve1.info/