Lajme

Skandaloze: 38-vjeçari dyshohet se dhunoi nipin 15-vjeçar në Prizren, e detyroi të bëjë seks oral

Marrëdhëniet seksuale brenda familjes janë raste mjaft të trishta, që kanë ndodhur jo rrallëherë në vendin tonë. Ajo çka e bën edhe më të tmerrshme këto ngjarje është përfshirja e të miturve. Një ngjarje e tillë dyshohet të ketë ndodhur në një familje në Prizren, ku një 38-vjeçar po dyshohet se ka dhunuar nipin e tij 15-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur më 19 mars, te Tranziti i Ri në Prizren, ku B.R. (emër i njohur për redaksinë por që nuk do t’i publikohet për ta ruajtur identitetin e viktimës, për shkak të lidhjes së tyre familjare) po dyshohet se ka abuzuar me nipin e tij të moshës 15-vjeçare, në një objekt të pabanuar.

Sinjali mëson se sipas dyshimeve të para të ngritura nga Prokurori i Shtetit, 38-vjeçari dyshohet se e ka detyruar të miturin të kryejë seks oral me të.

Rasti u zbulua pasi të dyshuarit u kapën në flagrancë në objektin ku ndodhi ngjarja dhe fillimisht kishte dyshime për një vjedhje, por doli se aty i mituri është keqtrajtuar.

Pasi palët u shoqëruan në stacion policor dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor parashtroi kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe mbrojtja e viktimës, i cili ka bërë me dije se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit, nën dyshimet për seks oral me të miturin.

Edhe nga Gjykata Themelore në Prizren kanë bërë me dije se pas seancës së mbajtur, i dyshuari është dërguar në paraburgim për veprën penale “Dhunimi”.

“Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, ashtu që:

– Të pandehurit B.R., i është caktuar masa e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227, par. 6 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

– Masa e paraburgimit do të llogaritet nga momenti i arrestimit, nga data 19.03.2023, dhe mund të zgjasë deri më datë 19.04.2023.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare, dhe me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të ndikojë në deklarimin e të dëmtuarit, apo të fsheh apo dëmtoj prova të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Sinjalin.

Gjykata ka njoftuar se masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme dhe e arsyeshme, pasi që me lënien në liri të të dyshuarit, i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga drejtësia, pasi që natyra e veprës penale është e rëndë dhe dënueshmëria e kësaj vepre është prej pesë (5) deri në njëzet (20) vite burgim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.