E rëndë: Një grua tenton t’i jap fund jetës duke u hedhur në lumin e Llapit, shpëtohet nga disa qytetarë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mesditë në rrugën “Met Podujeva” në Podujevë, ku një grua 47-vjeçare ka tentuar t’i jap fund jetës së saj duke u hedhur në lumin “Llap”, por fatmirësisht është shpëtuar dhe më pas u dërgua në spital, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë me dije burimet brenda QKUK-së, që njoftuan se viktima është dërguar në këtë qendër nga Emergjenca në Podujevë, ku fillimisht mori trajtim mjekësor.
Sinjali mëson se ajo ishte shpëtuar nga disa qytetarë, të cilët u tronditën kur e panë gruan që u hodh në lum dhe intervenuan menjëherë, duke e nxjerrë nga aty.
Të njëjtat burime thonë se Policia është njoftuar për rastin nga spitali dhe më pas një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.