57-vjeçarja ballafaqohet me një hajn posa zbret nga autobusi, ia merr nga qafa zinxhirin e arit
Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Me një ngjarje të tillë të frikshme është ballafaquar natën e mbrëmshme një grua 57-vjeçare në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pasi gruaja kishte zbritur nga autobusi dh në hyrje të banesën, një person i panjohur, i moshës së re ia ka vjedhur me forcë zinxhirin e arit nga qafa dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.
Bazuar në dëshminë e saj me rastin e denoncimit të rastit, edhe i dyshuari ka qenë në autobusin ku ndodhej gruaja, e cila dyshon se hajni e kishte planifikuar vjedhjen pasi ia vërejti zinxhirin në qafë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.