Mashtrohet keq prizrenasi: Pagoi 17 mijë euro për punë në Sllovaki, s’e mori kurrë vizën
Të rinjtë kosovarë kanë përshtypjen se vendi ynë nuk u ofron mundësitë e nevojshme për të jetuar, prandaj po zgjedhin që të ikin me shpresën se në shtetet tjera gjejnë vende pune. Kjo i shtynë ata që të paguajnë mijëra euro për të siguruar viza pune, qoftë në shtete rajon, në Evropë apo edhe më gjerë. Por janë të shpeshta rastet kur ata bie bre e mashtruesve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur edhe një qytetari në Prizren, i cili ka lidhur marrëveshje me një person për vizë pune, por për të siguruar garancionin ai duhej të paguante mijëra euro. Për muaj me radhë, viktima 47-vjeçar ka paguar hiç më pak se 17 mijë euro.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari H.H., i kishte premtuar viktimës se do t’ia siguronte një vize punë për Sllovaki, por për këtë duhej t’i dërgonte para përmes bankës. I dyshuari paratë i mori në shuma të ndara dhe më nuk u bë i gjallë.
Përballë kësaj situate, viktima vendosi të kërkojë ndihëm nga policia, duke e denoncuar krejt çka kishte ndodhur dhe si rezultat i dyshuari ishte identifikuar nga hetuesit policorë.
Në dyshimin se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, 54-vjeçari i dyshuar u fut në listën e personave të kërkuar dhe tek gjatë ditës së sotme ra në prangat e Policisë. Ai u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku dha deklaratë lidhur me denoncimin kundër tij.
Me t’u përfunduar procedurat policore, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.