Lajme

Bukëpjekësi shqiptar befason kroatët me çmimin e lirë të bukës

Bukëpjekësi shqiptar Lulëzim Qenaj ka vendosur t’i gëzojë qytetarët në Kroaci duke e ulur çmimin e bukës së bardhë në 60 cent, nga 1.60 cent sa sillet mesatarja e bukës së bardhë në këtë vend, raporton “Novi List”.

Iniciativën Qenaj e ka marrë me rastin e 25-vjetorit të punës.

Qenaj është pronar i zinxhirit të furrave “Arena”. Ai ka vendosur ta shesë bukën me çmim të përballueshëm. Aksioni i bukëpjekësit shqiptar do të nisë më 15 mars e do të zgjasë deri më 31 mars.

Qenaj kishte ulur çmimin e bukës edhe në nëntor.

“Nuk e kam të vështirë se e di që njerëzit nuk kanë. Më vjen mirë që ua lehtësoj jetën”, ka thënë Qenaj, që në Rijekë ndryshe njihet si “bukëpjekësi me zemër të madhe”.

Bukëpjekësi i njohur me vjet dhuron bukë e produkte tjera për njerëzit me kushte të vështira financiare. Ai njihet edhe për aksione humanitare. Ai ndihmoi zonat e prekura nga tërmeti në Petrinja, ku shpërndante bukë me furgon. Po ashtu të njëjtin bëri edhe pas përmbytjeve në Sllavoni.