Lajme

“T’zhduket familja, këtë punë e njekim me Kanun”, Kapadaiu nga Vushtrria kërcënon policët që shkuan t’ia arrestojnë vëllain

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur dje në Vushtrri, pasi zyrtarët policorë zbarkuan në shtëpinë e një personi i cili po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i gjithë incidenti ka ndodhur pasi kanë arritur në shtëpinë e të kërkuarit, ku kanë takuar vëllain e tij, i cili u ka kërkuar policëve që të largohen që aty.

37-vjeçari dyshohet të ketë kërcënuar zyrtarin policor, duke i thënë të largohet për 10 minuta nga prona e tij, në të kundërtën do t’i zhduket familja. Ai po ashtu ka thënë se këtë punë do ta ndjekin në bazë të Kanunit.

Këto veprime kanë bërë që i dyshuari të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.