Lajme

Burri nga Istogu ia fut flakën shtëpisë së tij, e lyen me benzin

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur në orët e mëngjesit të sotëm në fshatin Kaliqan të Istogut, ku për arsye akoma të panjohura, një person ia ka vënë flakën shtëpisë së tij në rrugën “Tre dëshmorët”. I dyshuari është arrestuar nga Policia, teksa Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se incidenti është denoncuar nga një qytetar, me ç’rast njësitë policore dhe Zjarrfikësit kanë intervenuar, ku zjarri u shua dhe i dyshuari u prangos.

Sipas informacioneve të para, pronari i dyshuar e ka pranuar se e ka djegur shtëpinë e vet, e cila është ndërtuar së fundmi. Para zyrtarëve policorë ai ka deklaruar se me një shishe me benzinë ia ka vënë flakën shtëpisë, e cila është ndërtuar së fundmi.

Burimet thonë se pas përfundimit të ekzaminimeve, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku i njëjti iu nënshtrua alkotestit, që rezultoi se ishte në gjendje të dehur.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Zjarrvënie”.