Lajme

“Nëse nuk vepron siç të themi…”/ Burri dhe vjehrri ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

Rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë e më shumë. Zakonisht viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike jo vetëm nga bashkëshortët, por edhe nga pjesëtarët tjerë të familjes. Në konflikte të tilla shpesh përfshihen edhe vjehërria, të cilët ushtrojnë dhunë ndaj nuseve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në Prishtinë, ku një grua ka kërkuar ndihmë nga Policia, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti dhe vjehrri i tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur më shtëpinë e tyre, në rrugën “Bajram Bahtiri”, mëngjesin e djeshëm.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, burri dhe babai i tij kanë ushtruar dhunë psikike në mënyrë sistematike ndaj saj, duke i bërë presion, e deri në atë pikë sa e kanë kanosur seriozisht.

Për pasojë, ajo ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke i raportuar të dyshuarit në Polici, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.

Si rezultat i raportimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për dhunë në familje, kurse gruaja ka shkuar te familja e saj, aty ku ndihet më e sigurt.