Digjet nga zjarri një shtëpi në Klinë, familja mbetet pa kulm mbi kokë
Familja Tarllamishaj në fshatin Rudicë të Klinës ka mbetur pa kulm mbi kokë pasi zjarri kaploi shtëpinë e tyre, e cila u bë shkrumb e hi. Zjarri nisi nga kulmi dhe përfshiu shtëpinë, por fatmirësisht asnjë nga anëtarët e familjes nuk u lëndua. Policia dhe Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, teka kanë nisur edhe hetimet për të zbuluar shkaktarin e zjarrit, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, shtëpia u dogj tërësisht dhe dëmi i shkaktuar dyshohet se kap vlerën e rreth 15 mijë eurove. Pronari i shtëpisë ka deklaruar para zyrtarëve policorë se shkaktar i zjarrit mund të jetë energjia elektrike.
Përveç Policisë dhe njësiteve të Zjarrfikësve, Sinjali mëson se së shpejti pritet të dalin në vendin e ngjarjes edhe ekspertët, në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si erdhi deri te zjarri.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ajo që dihet deri më tani është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve.