Lajme

Dy persona kërcënojnë me armë dy vajza te ‘Zip Club’ në Prishtinë, intervenon Policia

Lokalet e natës të cilat frekuentohen për t’u argëtuar me muzikë, shpesh herë shndërrohen edhe në vende ku shpërthen dhuna verbale dhe fizike. Nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë që dalin të shijojnë jetën e natës, përfundojnë në telashe për shkak të përfshirjes në situata të cilat shkaktojnë rrezik për persona të caktuar, raporton Gazeta Sinjali.

Mbrëmjen e shkuar, pak pas mesnate, dy vajza kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi kanë deklaruar se janë përballur me një situatë të frikshme.

Sinjali mëson se ato dyshohet se janë kanosur me armë nga dy persona te ‘Zip Club’ në Prishtinë, gjë e cila i ka shqetësuar tej mase.

Të rejat kanë arritur që t’i identifikojnë të dyshuarit, me ç’rast njësitë policore janë aktivizuar dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit.

Në kuadër të veprimeve hetimore, përpos viktimave dhe të dyshuarve, janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë të rastit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.