Lajme

Ish-vjehrra dhe ish-kunati shqetësojnë 35-vjeçaren

Telashet me partnerët dhe familjet e tyre, nuk marrin fund gjithmonë me ndarje. Shumë gra edhe pas shkurorëzimit kanë probleme me ish-bashkëshortët dhe anëtarët e familjes së tyre, të cilët nuk i lënë ato rehat të jetojnë jetën e tyre.

Në hall është edhe një grua në Mitrovicën e Veriut, pasi që ish-vjehrra dhe ish-kunati dyshohet se e kanë shqetësuar pas ndarjes me burrin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 35-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se të dyshuarit e kanë shqetësuar përmes thirrjeve telefonike.

Bazuar në dëshminë e saj, ish-vjehrra e ka njoftuar përmes telefonit se dikush po e përcjell djalin e saj, ndërkohë që në bisedë e sipër është inkuadruar edhe ish-kunati, i cili dyshohet se e ka sharë dhe ofenduar viktimën.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Ngacmim’.