KryesoreLajme

E bëri për spital gruan e tij, ky është 25-vjeçari të cilin Gjykata e dërgoi në paraburgim

Si rezultat i denoncimit nga bashkëshortja e tij, e cila e akuzoi për dhunë në familje, një 25-vjeçar nga fshati Uglarë i Graçanicës ka përfunduar në pranga. Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar lidhur me rastin, ndërkohë që zbulon edhe detaje nga vendimi i Gjykatës lidhur me të dyshuarin.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është Idriz Buzuku dhe ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën kompetente.

Buzuku dje ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, me ç’rast Gjykata ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, duke i caktuar 25-vjeçarit 30 ditë paraburgim.

Si kishte ndodhur ngjarja?

Rasti ka ndodhur pasditen e së enjtes në fshatin Uglarë të Graçanicës, ku Buzuku dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje që çifti kishte, por që eskaloi në dhunë dhe e pësoi keq gruaja, e cila mori edhe ndihmë mjekësore në spital.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.