Lajme

Ndodh edhe kjo: Burri gjen veturën që ia vodhën në një hekurishte, i dyshuari e kishte shitur për 200 euro

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Kështu e kishte pësuar edhe një person në fshatin Sferkë të Klinës, të cilit ia kishin vjedhur veturën e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dijë se 28-vjeçari kishte kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës për ta gjetur veturën e vjedhur, ndërkohë që edhe vetë kishte nisur kërkimet për t’i rënë në gjurmë asaj.

Vetura në fjalë është gjetur në një hekurishte në Klinë, pronari i së cilës kishte blerë automjetin e vjedhur për 200 euro nga personi që dyshohet se e vodhi atë.

Në kuadër të veprimeve hetimore, njësitë policore kanë intervistuar pronarin e hekurishtes, i cili ka deklaruar se është mashtruar nga i dyshuari dhe se ai i kishte thënë që ta marrë veturën për 200 euro, sepse e njëjta nuk është për përdorim.

I dyshuari është identifikuar, mirëpo ende nuk është arrestuar. Ndërkohë me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje’.