KryesoreLajme

Dhuna në familje: Burri ushtron dhunë ndaj gruas për shkak të xhelozisë, ajo e çon në Polici

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Dyshimet për tradhti e xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës fizike e psikike që përjetojnë gratë në Kosovë nga bashkëshortët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur së fundmi në Suharekë, Policia ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshje mes tyre.

Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, pasi i dyshuari 29-vjeçar, kishte ardhur në Kosovë nga Sllovenia, ku edhe punon. Bazuar në dëshminë e saj, burri po dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, për çka kanë pasur konflikt mes tyre.

Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.